Votohen ministrat e rinj në Kuvend, Shasivari në Drejtësi, Sulejmani në Kulturë e Ferati tek Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut para pak çastesh miratoi rikonstruimin e kabinetit qeveritar. Propozimi u votua me 69 vota “për”, ndërsa nuk pati asnjë votë “kundër” apo “të përmbajtur”.

Me këtë rikonstruim, koalicioni VLEN fiton edhe një post ministror më shumë në Qeveri. Jeton Shasivari do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, Sedat Sulejmani është emëruar ministër i Kulturës dhe Turizmit, ndërsa Agon Ferati do të udhëheqë Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive.

Paraprakisht, Kuvendi votoi shkarkimin e ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoillkoviq, ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, ministrit të Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani, ministrit pa resor Shaban Saliu, si dhe ministrit të Kulturës, Zoran Lutkov.

Deputetët shkarkuan gjithashtu edhe zëvendësministrin e Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Vellkovski, si dhe zëvendësministrin e Kulturës, Sedat Sulejmani, i cili tashmë është emëruar ministër i Kulturës dhe Turizmit.