Politikologu dhe aktivisti i diasporës shqiptare në SHBA, Vilson Sinishtaj, ka reaguar sërish me deklarata politike mbi zhvillimet në Malësi dhe komunën e Tuzit, duke theksuar rëndësinë e unitetit shqiptar dhe ruajtjes së shumicës shqiptare në këtë zonë.
Në një postim publik, Sinishtaj ka theksuar se shqiptarët në Malësi janë popull autokton dhe se, sipas tij, çdo zhvillim politik apo demografik duhet të vlerësohet në funksion të ruajtjes së përfaqësimit shqiptar në nivel lokal.
“Vendimet politike duhet të kalojnë një provë të vetme: a e forcojnë shumicën shqiptare apo e dobësojnë atë,” është shprehur ai, duke theksuar se çështja e Malësisë është “çështje mbijetese politike, kulturore dhe kombëtare”.
Sinishtaj ka kritikuar gjithashtu atë që e quan “patriotizëm simbolik në rrjete sociale”, duke thënë se mbrojtja e interesave të komunitetit kërkon, sipas tij, “përgjegjësi dhe rezultate konkrete, jo vetëm deklarata publike”.
Ai ka përsëritur qëndrimin se shqiptarët duhet të mbeten shumicë e fortë në komunën e Tuzit dhe se, sipas tij, çdo politikë që ndryshon ekuilibrat demografikë duhet të shihet me kujdes.
Në deklaratat e tij të mëhershme, Sinishtaj është shprehur se bashkimi politik i shqiptarëve në Malësi është faktori kryesor për suksesin institucional dhe zhvillimor të komunitetit.
Ja postimi plotë:
Malësia është tokë autoktone shqiptare – shumica shqiptare është vijë e kuqe
Patriotizmi në Facebook është i lehtë. Mjafton një flamur, një hartë dhe disa fjalë të mëdha. Mbrojtja e Malësisë kërkon shumë më tepër: përgjegjësi, punë dhe rezultate.
Para se të ndjekim dikë, duhet të shohim çfarë ka bërë, jo vetëm çfarë thotë.
Sot, disa nga ata që bëjnë më shumë zhurmë nuk kanë ndërtuar asgjë për Malësinë. Disa të tjerë kanë heshtur, kanë përfituar ose kanë ndihmuar në procese që kanë sjellë qindra e potencialisht mijëra banorë joshqiptarë në trojet tona. Tani paraqiten si mbrojtësit më të mëdhenj të atdheut.
Secili ka të drejtë të protestojë. Por flamuri i sotëm nuk mund ta fshijë bilancin e djeshëm.
Shqiptarët në Malësi nuk janë ardhacakë. Jemi popull autokton në tokën tonë dhe kemi të drejtë të mbrohemi nga çdo ndryshim demografik i imponuar, i planifikuar ose i nxitur për të na kthyer në pakicë.
Kjo nuk është urrejtje ndaj askujt. Çdo qytetar duhet të ketë të drejta dhe dinjitet të barabartë. Por shqiptarët autokton janë pakicë në nivel shtetëror dhe duhet të mbeten shumicë e fortë në komunën tonë.
Kjo është çështje mbijetese politike, kulturore dhe kombëtare.
Asnjë pëllëmbë e territorit aktual të Komunës së Tuzit nuk duhet të vihet në diskutim. Në të njëjtën kohë, kërkesat e drejta për territoret që historikisht dhe natyrshëm i përkasin Malësisë duhet të vazhdojnë.
Por çdo vendim duhet të kalojë një provë të vetme:
A e forcon shumicën shqiptare, apo hap rrugën që shqiptarët të bëhen pakicë në komunën e tyre?
Një hartë më e madhe nuk është fitore nëse humbim fuqinë për të drejtuar komunën, për të mbrojtur gjuhën, shkollën, pronën, kulturën dhe institucionet tona.
Nuk mund të luftojmë për kufijtë e djeshëm duke humbur Malësinë e nesërme.
Prandaj qëndrimi ynë duhet të jetë i qartë: mbrojmë territorin, kërkojmë të drejtat tona dhe nuk pranojmë asnjë skemë që dobëson shumicën shqiptare.
Malësia nuk mbrohet me hartë. Mbrohet duke siguruar se ajo mbetet shqiptare!
Rrnoftë Shqypnia🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱















