Në emisionin Debat në Shenja, zëvendësministri i Arsimit dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Driton Sulemjani, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykata Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve dhe shesheve, duke kritikuar institucionin dhe mënyrën se si janë trajtuar këto çështje në të kaluarën.
Sulemjani deklaroi se janë të vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se sipas tij, kjo gjykatë paraqet “dorë të zgjatur të pushtetit të kaluar”. Ai tha se ekzistojnë fakte dhe argumente që, sipas tij, dëshmojnë ndikimin politik në këtë institucion, duke përmendur deklaratat e një anëtari të gjykatës, Kadri Osmani, që ka pranuar se është zgjedhur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
“Parimisht, qeveria nuk duhet të përzihet në gjykata. Deklarata e tij është skandaloze”, tha Sulemjani.
Duke folur për emërtimet e rrugëve dhe shesheve, ai vlerësoi se gjatë periudhës së qeverisjes së BDI-së, nga viti 2007 e tutje, nuk janë sjellë zgjidhje të qëndrueshme dhe të plota ligjore. Sipas tij, pushteti i kaluar ka ofruar vetëm “gjysmë-zgjidhje”, ndërsa çështja do të shqyrtohet më tej nga këshillat përkatës.
“Sa i përket emrave të rrugëve, prej vitit 2007 deri kur BDI ka qeverisur, nuk është sjellë me badenter. Pra pushteti i kaluar ka sjellë gjysmë zgjidhje. Këshilli do të shqyrtojë situatën. Sa i përket vendimit konkret pse ishte sheshi Iliria dhe tani Marshall Tito, në realitet asnjëherë nuk ka qene Ilira”, deklaroi ai.
“Tani do të sjellim vendime të plota ligjore dhe nuk do të shfuqizohen nga Gjykata”, theksoi ai.















