Ra në lumin Mat gjatë stërvitjes me litar, humb jetën alpinisti dhe speleologu Erkin Lika

Një ngjarje tragjike është regjistruar në Klos, ku ka humbur jetën 38-vjeçari Erkin Lika, i njohur për pasionin e tij ndaj alpinizmit, hiking-ut dhe eksplorimit të shpellave. Ai dyshohet se u mbyt në lumin Mat pasi ra nga Ura e Vashës gjatë një stërvitjeje me litar.

Sipas informacioneve, Lika ishte pjesë e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë dhe po zhvillonte ushtrime në zonë kur ndodhi aksidenti fatal. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionin për gjetjen e trupit të tij në ujërat poshtë Urës së Vashës dhe në zonën përreth.

38-vjeçari, banues në Tiranë, punonte si specialist i rrjeteve të fibrave optike dhe ishte speleolog i certifikuar, i trajnuar nga organizata italiane Club Alpino Italiano dhe Società Speleologica Italiana. Ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e Shoqatës Speleologjike Shqiptare, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e speleologjisë në vend./dritare.net