Gjykata e Apelit i rrit dëmshpërblimin Ziadin Selës në 7.8 milionë denarë për ngjarjet e 27 prillit

Gjykata e Apelit në Shkup ka marrë vendim të formës së prerë me të cilin pjesërisht e ka pranuar ankesën e Ziadin Selës dhe ka rritur shumën e dëmshpërblimit që Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’ia paguajë për dëmin jomaterial të pësuar pas sulmit në Kuvend më 27 prill 2017.

Me aktgjykimin, shteti obligohet t’i paguajë Selës gjithsej 7.800.000 denarë për cenimin e të drejtave personale lidhur me shëndetin fizik dhe psikik, mëson “Shkupi1”. Nga krahasimi i dy aktgjykimeve rezulton se arsyetimi i Gjykatës së Apelit është pothuajse identik me atë të Gjykatës Civile, por me një kompensim më të lartë pas ankesës së Selës.

“Gjykata e shkallës së parë nuk e ka vlerësuar mjaftueshëm seriozitetin e të mirës së cenuar dhe nuk e ka marrë parasysh qëllimin për të cilin shërben kompensimi, si dhe nuk i ka përfshirë të gjitha rrethanat dhe parametrat relevantë që ndikojnë në përcaktimin e një kompensimi të drejtë. Për këtë arsye, shumat e caktuara në aktgjykimin e shkallës së parë nuk e përmbushin qëllimin e kompensimit, nuk mundësojnë dëmshpërblim real dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e lëndimeve që ka pësuar paditësi si pasojë e ngjarjes kritike”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Nga shuma e përgjithshme, gjykata ka caktuar:

– 1.500.000 denarë për dhimbjet fizike;
– 900.000 denarë për frikën e përjetuar;
– 3.000.000 denarë për dhimbjet shpirtërore për shkak të zvogëlimit të aktivitetit të përgjithshëm jetësor;
– 600.000 denarë për dhimbjet shpirtërore si pasojë e shëmtimit;
– 600.000 denarë për cenimin e dinjitetit personal;
– 600.000 denarë për cenimin e nderit; dhe
– 600.000 denarë për cenimin e reputacionit.

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Avokaturës së Shtetit, e cila kishte kërkuar shfuqizimin e aktgjykimit dhe rigjykimin e lëndës.

Në padinë e tij, Ziadin Sela kishte kërkuar gjithsej 61 milionë denarë si kompensim dëmi.