Elezi: VLEN po e kthen përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në ligj

Përfaqësuesi i VLEN-it, Afan Elezi, ka deklaruar se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është dhuratë politike, por parim kushtetues që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe një nga shtyllat kryesore të karakterit multietnik të shtetit.

Sipas tij, për më shumë se dy dekada kjo çështje ka mbetur pa një zgjidhje ligjore të qëndrueshme, duke u trajtuar përmes mekanizmave të përkohshëm dhe interpretimeve të ndryshme, por pa një ligj të veçantë.

“Për gati 23 vite kjo çështje mbeti pa ligj të veçantë. Arsyet i dimë, kishim arnime, mekanizma të përkohshëm dhe interpretime të ndryshme, por asnjëherë ligj”, ka theksuar Elezi.

Ai ka vlerësuar se me ardhjen e VLEN-it në përfaqësimin e shqiptarëve janë hapur procese që, sipas tij, nuk janë iniciuar gjatë dy dekadave të kaluara.

“Për vetëm 24 muaj ne sollëm ligj dhe po e avancojmë Marrëveshjen e Ohrit. Ky është një hap historik dhe një përgjigje serioze ndaj boshllëkut institucional që u krijua pas shfuqizimit të balancuesit”, ka deklaruar Elezi.

Në fund, ai ka bërë thirrje që të gjitha subjektet politike të mbështesin këtë proces, duke theksuar se tashmë është koha për vendime konkrete dhe jo për retorikë politike.

“Ky është momenti kur secili duhet të tregojë nëse është në anën e historisë. Nuk ka më vend për patriotizëm të rrejshëm. VLEN nuk bën zhurmë për të drejtat e shqiptarëve, por i kthen ato në ligj. VLEN shqiptarët po i bën ligj”, ka përfunduar Elezi.