Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Parqe dhe Gjelbërim, Muamer Seferi: Po transformojmë shëtitoren e lumit Vardar

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Parqe dhe Gjelbërim, Muamer Seferi, ka njoftuar se ekipet në terren po zhvillojnë një aksion për mirëmbajtjen dhe rregullimin e hapësirave të gjelbra përgjatë Shëtitores së Vardarit.

Sipas Seferit, po realizohen aktivitete për kositjen dhe rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra në të dyja anët e Kejit të Vardarit, në segmentin nga ura te bulevardi “8 Shtatori” deri te Ura Binjake në Novo Lisiçe.

Ai theksoi se falë angazhimit të vazhdueshëm të ekipeve në terren, shëtitorja po merr një pamje më të rregullt dhe më të mirëmbajtur, me qëllim që qytetarët të kenë hapësira publike më të pastra dhe më funksionale.

“Mbajtja e hapësirave publike të pastra dhe funksionale për qytetarët mbetet një nga prioritetet tona kryesore, ndërsa aktivitetet në terren vazhdojnë në të gjitha pjesët e qytetit”, ka deklaruar Seferi.

Nga Ndërmarrja për Parqe dhe Gjelbërim bëjnë të ditur se aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera të kryeqytetit, në kuadër të aktiviteteve të rregullta për mirëmbajtjen e gjelbërimit urban.