Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, burg përjetë për Plaurent Dervishaj, dënim edhe për Julian Meçe

Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn dhe me 35 vite burg Julian Meçen, pasi i shpalli fajtorë për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.

Sipas hetimeve, në atentatin e ndodhur më 1 nëntor 2019, në autostradën Tiranë–Durrës, pranë mbikalimit të Shkozetit, dyshohet se janë përfshirë edhe Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri.

Në momentin e sulmit, ish-prokurori Arjan Ndoja udhëtonte në një automjet tip “Benz” së bashku me Aleksandër Lahon, i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi dhe me nofkën “Rrumi i Shijakut”, si dhe shoferin e tij, Andi Maloku, ish-efektiv i Policisë së Shtetit.

Automjeti u qëllua me breshëri automatiku nga një makinë tjetër në lëvizje. Si pasojë e të shtënave, automjeti doli nga rruga, ndërsa tre personat u transportuan me një automjet privat drejt spitalit.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, Andi Maloku, 24 vjeç, ndërroi jetë në spital si pasojë e një plumbi të marrë në gjoks. Ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho mbetën të plagosur dhe i mbijetuan atentatit.