As ‘lëmoshat’ e Kurtit nuk bëjnë punë: Bie numri i lindjeve, kosovarët nuk po duan më shumë fëmijë

Pavarësisht subvencioneve dhe pagesave që Qeveria e Kosovës jep për fëmijët e porsalindur, numri i lindjeve ka vazhduar të bjerë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë prillit 2026 janë regjistruar 2.261 lindje, ose 2,3 për qind më pak se në muajin mars, duke vazhduar trendin e rënies së lindshmërisë në vend.

Kosova po vazhdon të përballet me rënien e lindshmërisë, pavarësisht masave financiare dhe subvencioneve që janë ofruar vitet e fundit për familjet që sjellin në jetë fëmijë. Të dhënat më të fundit tregojnë se numri i lindjeve ka shënuar sërish rënie në muajin prill 2026 krahasuar me muajin paraprak, shkruan Demokracia.com.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë muajit prill 2026 janë regjistruar gjithsej 2.261 lindje brenda dhe jashtë Kosovës. Nga to, 1.183 janë meshkuj dhe 1.078 femra. Krahasuar me muajin mars 2026, numri i lindjeve ka rënë për rreth 2,3 për qind.

Që nga viti 2022, qeveria e udhëhequr nga kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti, ka shpërndarë para te qytetarët në forma të ndryshme përmes Programit për Ringjalljen Ekonomike. Për këtë vit, këtij progami iu ndanë 30 milionë euro nga buxheti shtetëror.

Megjithatë, raportet vjetore financiare tregojnë se, për shembull, vitin e kaluar u shpenzuan më shumë para për masat e këtij programi se që ishte planifikuar.

Disa nga shpenzimet që janë bërë në kuadër të këtij programi, nga pagesat e njëhershme prej 100 eurosh për studentë e deri te shpenzimet për kuponë ushqimesh për familjet në nevojë.

Kjo po ndodh edhe pse Qeveria e Kosovës ka ndarë mbështetje financiare për lindjet, duke ofruar pagesa për fëmijët e porsalindur dhe skema të tjera sociale për familjet.

“Në muajin prill 2026 janë regjistruar 2 261 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara 1 183 lindje janë meshkuj dhe 1 078 lindje janë femra. Në muajin prill 2026 kemi rënie të numrit të lindjeve rreth (2,3%) krahasuar me muajin mars 2026.”

Ndërkohë, gjatë muajit prill janë regjistruar 916 raste të vdekjeve, prej tyre 515 meshkuj dhe 401 femra. Krahasuar me marsin, numri i vdekjeve ka shënuar rënie prej 1,7 për qind.

Në anën tjetër, kurorëzimet kanë shënuar rritje të ndjeshme. Gjatë prillit 2026 janë regjistruar 1.126 kurorëzime, ose 20,8 për qind më shumë se në muajin mars.

Po ashtu, janë regjistruar 111 raste të shkurorëzimeve, që paraqet një rënie prej 16,5 për qind krahasuar me muajin paraprak.

Të dhënat administrative të Agjencisë së Regjistrit Civil tregojnë se, megjithëse më shumë çifte po martohen, kjo ende nuk po reflektohet në rritjen e numrit të lindjeve./Demokracia.com/.