Ali Ahmeti: Saraji dëshmoi se mbetet bastion i fuqishëm i organizimit tonë politik

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka përmbyllur procesin zgjedhor brendapartiak në degën e Sarajit, ku janë zgjedhur organet e reja drejtuese që do ta udhëheqin degën në periudhën e ardhshme.

Në Kuvendin Zgjedhor mori pjesë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili përgëzoi strukturat e degës për, siç tha, mobilizimin, unitetin dhe pjekurinë politike të treguar gjatë procesit.

Gjatë kuvendit u zgjodhën Kryesia e Degës, Këshilli Mbikëqyrës, Komiteti i Veteranëve dhe sekretarët e sekretariateve.

“Saraji edhe një herë dëshmoi se mbetet një bastion i fuqishëm i organizimit tonë politik dhe se është i gatshëm të japë kontributin e tij për rikthimin e dinjitetit dhe përfaqësimit të denjë të shqiptarëve”, deklaroi Ahmeti.

Kryetari i BDI-së uroi të gjithë të zgjedhurit për përgjegjësitë e reja, duke i ftuar të angazhohen në shërbim të qytetarëve dhe të anëtarësisë.

“Të gjithë të zgjedhurve ua uroj nga zemra përgjegjësinë e re. Ju dëshiroj punë të mbarë, suksese dhe angazhim të pandërprerë në shërbim të anëtarësisë, qytetarëve dhe kauzës sonë të përbashkët. Së bashku, me unitet, përgjegjësi dhe besim, do të vazhdojmë ta forcojmë Bashkimin Demokratik për Integrim dhe t’u rikthejmë shqiptarëve dinjitetin që meritojnë”, tha Ahmeti.

Nga BDI vlerësojnë se procesi zgjedhor në degën e Sarajit rikonfirmon konsolidimin e strukturave të partisë në terren dhe gatishmërinë për sfidat e ardhshme politike.