Seanca e Këshillit Komunal të Tetovës u ndërpre dy herë pas përplasjes mes shumicës dhe opozitës lidhur me propozimin për ndryshimin e emrave të disa rrugëve në qytet.
Këshilltarët e opozitës nga AKI-ja kërkuan që propozimi i tyre, i dorëzuar disa ditë më parë, të vendosej si pika e parë e rendit të ditës. Edhe pse shumica e pranoi që kjo çështje të futet në rend dite, ajo u vendos si pika e fundit, në përputhje me Rregulloren e punës së Këshillit Komunal.
Pas dy pauzave dhe përpjekjeve për të arritur marrëveshje, këshilltarët e AKI-së e braktisën seancën.
Në ndërkohë, nënkryetari i Komunës së Tetovës, njëherësh këshilltar komunal nga VLEN dhe kryetar i Komisionit për riemërimin e rrugëve, Albi Qamili, deklaroi se Komisioni do të mblidhet nesër për të vazhduar procedurën ligjore për përgatitjen e listës së emrave që do t’i dërgohet Qeverisë.
Ai theksoi se miratimi i propozimit të opozitës në këtë fazë nuk do të kishte efekt juridik, pasi sipas procedurës ligjore kërkohet pëlqimi paraprak i Qeverisë.
Deklarata e plotë e Albi Qamilit:
“Kjo e dëshmon qartë se të gjitha përpjekjet e BDI-së kanë qenë vetëm për teatër mediatik, për show dhe propagandë të rreme. Kërkesa e tyre e parë ishte që ta fusnim në rendin e ditës vendimin për ndryshimin e emrave. Ne e pranuam iniciativën dhe vepruam në përputhje me procedurat dhe Rregulloren.
Sipas Rregullores për punën e Këshillit Komunal, pikat shtesë propozohen gjatë miratimit të rendit të ditës dhe shtohen në fund të tij.
Pasi e pranuam këtë kërkesë dhe u shprehëm të gatshëm për debat, ata paraqitën një kërkesë tjetër, që kjo pikë të ishte e para në rend të ditës. Kjo ishte një kërkesë krejtësisht absurde, sepse sipas Rregullores pikat shtesë vendosen në fund të rendit të ditës. Për këtë arsye, ata e lëshuan sallën, ndërsa ne i pritëm dhe u bëmë thirrje këshilltarëve të BDI-së të kthehen, në mënyrë që të diskutohet kjo pikë.
Ne jemi të gatshëm të debatojmë dhe të votojmë, por duhet pasur parasysh se votimi i kësaj pike nuk do të prodhojë efekt juridik. Arsyeja është se nevojitet pëlqimi i Qeverisë dhe, së dyti, një vendim i tillë mund ta çojë Komunën e Tetovës në pasoja financiare dhe juridike.
Unë vazhdimisht kam theksuar se Komisioni po punon me intensitet të lartë. Edhe pse ndoshta një pjesë e punës nuk shihet nga jashtë, ne e kemi marrë këtë proces me shumë seriozitet.
Në mbledhjen e nesërme të Komisionit do të nisim fazën e konfirmimit të emrave që do të përfshihen në listën që do t’i dërgohet Qeverisë. Natyrisht, nesër nuk do të përfundojë i gjithë procesi. Kjo është vetëm faza e parë. Do të miratojmë një pjesë të emrave dhe më pas do të ketë edhe mbledhje të tjera të Komisionit, derisa të kompletohet e gjithë lista.
Pas kësaj do ta nisim procedurën drejt Qeverisë, e cila do të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që të mos përballemi më me pasoja dhe pengesa, siç kemi hasur deri më tani me disa vendime që janë kontestuar dhe janë rrëzuar nga institucionet kompetente”, përfundoi Qamili.















