Mexhiti: Barazia matet edhe me shpërndarjen e drejtë të investimeve dhe resurseve

Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka uruar qytetarët me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e multietnicitetit dhe barazisë ndërmjet të gjitha komuniteteve.

Mexhiti deklaroi se Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe se të gjitha komunitetet duhet të jenë pjesë e barabartë e zhvillimit dhe së ardhmes së vendit.

Sipas tij, forcimi i multietnicitetit, respekti ndaj secilit komunitet dhe barazia ndërmjet qytetarëve janë përcaktime politike dhe institucionale për të cilat punohet çdo ditë.

Ai theksoi se këto zotime po realizohen përmes vendimeve, politikave dhe investimeve konkrete. Mexhiti tha se, nën qeverisjen aktuale, është bërë një ndarje më e drejtë e mjeteve buxhetore, duke u mundësuar komunave dhe qytetarëve qasje më të barabartë në resurset shtetërore.

“Miliona euro po investohen në projekte infrastrukturore, në rrugë, spitale, shkolla dhe infrastrukturë publike, ndërsa arsimi dhe kultura po marrin hisen dhe vëmendjen që meritojnë”, deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se barazia nuk matet vetëm me përfaqësimin dhe pozitat, por edhe me vendet ku investon shteti, shumën e investimeve dhe mënyrën se si shpërndahen resurset dhe mundësitë për zhvillim.

“Kjo është Maqedonia e Veriut që po forcojmë çdo ditë – një shtet që e njeh dhe e respekton karakterin e tij multietnik, që investon në mënyrë të drejtë dhe që zhvillimin e ndërton mbi barazi”, theksoi Mexhiti.

Në fund, ai uroi qytetarët për Ditën e Pavarësisë, duke e cilësuar ndërtimin e një shteti të barabartë si përgjegjësi ndaj vendit dhe gjeneratave të ardhshme.

“Urime 8 Shtatori, Dita e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut!”, përfundoi Mexhiti.