Mexhiti dhe Ylli Limani vizitojnë kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”

Kryetari i Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti, së bashku me artistin e njohur Ylli Limani, vizituan sot Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, ku panë nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e kampusit universitar, një nga investimet më të mëdha shtetërore për arsimin e lartë në gjuhën shqipe.

Gjatë vizitës, Mexhiti theksoi se ndërtimi i kampusit universitar është një projekt me rëndësi strategjike, që krijon kushte më të mira për arsimimin e brezave të rinj dhe dëshmon përkushtimin institucional ndaj zhvillimit të arsimit shqip në vend.

Ai vlerësoi se ishte domethënëse që, në prag të koncertit të tij në Shkup, Ylli Limani vizitoi një institucion që simbolizon të ardhmen e të rinjve shqiptarë, duke nënvizuar se investimi në dije mbetet garancia më e mirë për zhvillimin e shoqërisë.

Në takimin e përbashkët u diskutua për sfidat dhe perspektivat e rinisë, për rëndësinë e krijimit të mundësive të reja për të rinjtë, si dhe për projektet që po realizohen në funksion të avancimit të pozitës së tyre.

“Ylli Limani është dëshmi se talenti, puna dhe përkushtimi mund të shndërrohen në histori suksesi. Përtej karrierës së tij artistike, ai është një i ri me kulturë, vizion dhe mendim të pjekur, që përbën frymëzim për shumë të rinj shqiptarë,” u shpreh Mexhiti.

Ai shtoi se arti dhe kultura kanë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë dhe në motivimin e brezave të rinj, duke theksuar se figurat e suksesshme nga fusha e artit janë ambasadorë të vlerave pozitive dhe shembuj për t’u ndjekur.

Në fund të vizitës, Izet Mexhiti i uroi Ylli Limanit një koncert të suksesshëm në Shkup dhe suksese të mëtejshme në karrierën e tij artistike, duke shprehur bindjen se investimi paralel në arsim, kulturë dhe rini është rruga më e sigurt drejt një të ardhmeje më të mirë.