Mister në Afrikën e Jugut! Trashëgimtarja 26-vjeçare gjendet e vrarë një ditë pas vdekjes së bashkëpunëtorit të saj

Një mister i thellë po trondit Afrikën e Jugut pas vdekjes së 26-vjeçares Caroline von Rantzau, trashëgimtare e një prej familjeve më të njohura gjermane të transportit detar, e cila u gjet e pajetë në rezidencën private safari të familjes së saj në provincën Limpopo.

Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe, pasi vetëm një ditë para vdekjes së saj ishte gjetur i vdekur edhe bashkëpunëtori i saj i ngushtë, Arno Koën, 44 vjeç, i cili shërbente si drejtues financiar dhe menaxhonte aktivitetet e pronës.

Fillimisht, kompania e familjes kishte njoftuar se Caroline von Rantzau kishte humbur jetën në një aksident automobilistik më 1 qershor. Megjithatë, autoritetet e Afrikës së Jugut sqaruan më vonë se si vdekja e saj ashtu edhe ajo e Koën ishin të lidhura me plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Arno Koën u gjet i vdekur më 31 maj pasi ishte qëlluar me një armë 9 mm. Një ditë më vonë, dëshmitarët raportuan se kishin dëgjuar dy të shtëna që vinin nga dhoma e Caroline von Rantzau në pronën luksoze. Hetuesit konfirmuan më pas se 26-vjeçarja kishte pësuar një plagë fatale nga arma e zjarrit.

Raportimet mediatike bëjnë me dije se e reja dyshohet të jetë qëlluar me një revolver të kalibrit .357, armë e cila besohet se ndodhej në dollapin e armëve të babait të saj. Policia zhvilloi kontrolle të gjera në rezidencën safari, duke mbledhur prova dhe duke marrë në pyetje persona që ndodheshin në zonë në momentin e ngjarjes.

Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi rrethanat e sakta të dy vdekjeve dhe nuk është identifikuar asnjë i dyshuar. Po ashtu, nuk është bërë e ditur nëse po hetohen persona të tjerë në lidhje me këtë çështje.

Caroline von Rantzau konsiderohej një figurë në ngjitje në biznesin familjar. Babai i saj drejton kompaninë e njohur të transportit detar Deutsche Afrika-Linien, ndërsa familja zotëron interesa të rëndësishme ekonomike në Afrikën e Jugut. Sipas mediave gjermane, 26-vjeçarja ishte vendosur prej kohësh në vend dhe së fundmi kishte investuar në prona të tjera pranë kufirit me Mozambikun.

Miqtë dhe të afërmit e përshkruajnë atë si një person të përkushtuar ndaj mbrojtjes së kafshëve dhe aktiviteteve në natyrë. Ndërkohë, raportet tregojnë se ajo kishte një marrëdhënie shumë të afërt besimi me Arno Koën, të cilin shpesh e quante “mentor” dhe “figurë prindërore” në jetën e saj.

Autoritetet kanë njoftuar se do të kryhen autopsi të detajuara për të dy viktimat, ndërsa rezultatet pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë rast misterioz që ka tronditur jo vetëm Afrikën e Jugut, por edhe Gjermaninë. Hetuesit shpresojnë se analizat mjeko-ligjore do të ndihmojnë në përcaktimin e shkaqeve të sakta të vdekjeve dhe në zbardhjen e plotë të ngjarjes.