Procedohen vajzat që dhunuan dhe filmuan shoqen, njëra kishte dhunuar edhe nënën

Dy ditë më parë, JOQ publikoi një video ku shiheshin dy vajza që dhunonin shoqen, teksa filmohej nga një vajzë tjetër. Pamjet tregojnë se viktima goditet në mënyrë të përsëritur me shuplaka e grushte dhe tërhiqet zvarrë prej flokësh. I gjithë sherri ka lindur për një të dashur. Lidhur me këtë policia ka deklaruar se dy vajza Klea dhe Marinza që kanë dhunuar shoqen e tyre, ishin në shtëpinë e Leonela Lamajt.

Ngjarja është raportuar në Policinë e Fierit, menjëherë pas kallëzimit të së dhunuar në datën 8 qershor. Në polici, të tria kanë deklaruar se e kanë rrahur të miturën për motive të dobëta dhe ndaj tyre ka nisur një hetim. Më 28 qershor, është arrestuar njëra prej vajzave të përfshira. Arrestimi u bë pas kallëzimit të nënës, e cila deklaroi se ishte dhunuar prej së bijës. Kjo e fundit është dërguar për trajtim në spitalin psikiatrik në Tiranë.

Videoja ngjalli shumë komente në rrjet, teksa e dhunuara dhe dhunueset duhet të marrin trajtim psikologjik. Ngjarja ka ndodhur rreth një muaj më parë dhe sipas policisë vajzat kanë probleme të shëndetit mendor dhe aktualisht po trajtohen në qendrat spitalore përkatëse. Skandali nuk lind brenda një dite, ai është pasqyrë e një edukimi të dështuar në shtëpi. Ndaj urojmë që ngjarja të shërbejë për prindërit që të kalojnë më shumë kohë me edukimin e fëmijëve se sa në Tik Tok.