Drejtori i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, Faton Fazliu, ka bërë të ditur se gjatë një vizite zyrtare në Bruksel ka zhvilluar një takim me znj. Christine Pelfrenedear, Drejtoreshë e Departamentit të Çështjeve Civile të Qytetit të Brukselit.
Sipas Fazliut, takimi është fokusuar në shkëmbimin e përvojave lidhur me procesin e digjitalizimit të regjistrave civilë, dokumentet elektronike dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.
“Diskutuam për përvojat belge në digjitalizimin e regjistrave civilë, dokumentet elektronike dhe shërbimet moderne për qytetarët”, ka deklaruar Fazliu.
Ai theksoi se takime të tilla janë të rëndësishme për avancimin e reformave në administratën publike dhe për përvetësimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.
“Takime të tilla janë të vlefshme për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe avancimin e reformave në administratën publike”, u shpreh ai.
Në fund, Fazliu ka shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe bashkëpunimin gjatë vizitës në Bruksel.















