Doktoresha Ivana Stefanoviq nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore ka ndarë përvojën e saj tronditëse nga dita kur ndodhi tragjedia në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”.
Ajo tregon se mëngjesi nisi në mënyrë të pazakontë, kur gjatë një takimi pune mori një telefonatë nga vajza e saj. Duke e ditur se vajza nuk do ta telefononte kurrë pa një arsye serioze, ajo u përgjigj menjëherë. Vajza i tha se në shkollë kishte një vajzë të plagosur dhe kërkoi që urgjentisht të dërgohej një ekip mjekësor.
Në atë moment, kolegët e saj tashmë kishin marrë informacione për një incident të rëndë dhe disa automjete ishin nisur drejt shkollës. Stefanoviq, me ekipin e parë të disponueshëm, u nis menjëherë në terren, e bindur se bëhej fjalë për një incident më të vogël.
Por, sapo mbërriti, u përball me një pamje krejt tjetër. E udhëhequr nga një mësues, ajo hyri në një pjesë të shkollës ku u përball me skena që nuk do t’i harrojë kurrë. Në një nga klasat vuri re një vajzë që ende jepte shenja jete, pas çka bashkë me kolegët filluan menjëherë t’i japin ndihmën e parë. Pak më vonë u konstatua se edhe një mësuese ishte gjallë dhe edhe ajo u trajtua menjëherë.
Fatkeqësisht, për të tjerët që ndodheshin në atë hapësirë, ekipet mjekësore nuk mundën të bënin më asgjë. Doktoresha thotë se për një kohë të gjatë nuk mund ta pranonte atë që kishte ndodhur në të vërtetë, duke kontrolluar vazhdimisht nëse ekzistonte mundësia të shpëtohej edhe ndonjë jetë tjetër.
Ajo theksoi se të gjitha shërbimet reaguan jashtëzakonisht shpejt dhe në mënyrë profesionale, duke vënë në pah përkushtimin e ekipeve mjekësore që atë ditë u angazhuan në një nga tragjeditë më të rënda të historisë së re të rajonit.















