Mesfushori i Spanjës dhe i Manchester City-t, Rodri, ka bërë një deklaratë që tregon qartë se sa shumë e vlerëson suksesin me kombëtaren.
Fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2024, i cili u shpall lojtari më i mirë në botë falë paraqitjeve të jashtëzakonshme me klubin dhe përfaqësuesen, ka pranuar se do ta ndërronte pa hezitim këtë çmim individual me një titull kampioni bote me Spanjën.
Rodri ishte një nga figurat kyçe të Spanjës në triumfin në Euro 2024, duke zhvilluar gjashtë ndeshje gjatë rrugëtimit drejt trofeut. Tani, 29-vjeçari synon të udhëheqë “La Rojan” drejt lavdisë në Kupën e Botës 2026.
“Natyrisht dhe pa asnjë dyshim, do ta ndërroja ‘Topin e Artë’ për yllin e dytë në fanellën e Spanjës”, deklaroi Rodri për mediat spanjolle.
“Fitimi me kombëtaren tënde është gjëja më e veçantë. Kampionati Evropian është trofeu më i rëndësishëm që kam fituar, por Kupa e Botës është kulmi absolut”, shtoi ai.
Spanja e fitoi për herë të vetme Kupën e Botës në vitin 2010, kur triumfoi në Afrikën e Jugut. Tashmë, spanjollët konsiderohen ndër favoritët kryesorë për edicionin e vitit 2026 dhe synojnë ta rikthejnë trofeun në Madrid pas 16 vitesh.
Me një skuadër të mbushur me talente dhe me Rodrin si lider në mesfushë, Spanja beson se mund ta shtojë yllin e dytë mbi stemën e saj dhe të shkruajë një tjetër kapitull të artë në historinë e futbollit.




Leave a Reply