Ditën e Bajramit pritet të bëhen të ditur emrat e ministrave të Qeverisë së Re

June 12, 2024

Komiteti Ekzekutiv dhe Qendror i VMRO-DPMNE-së pritet që të dielën të diskutojë për emrat e ministrave në Qeverinë e re, të cilët do t’i propozojë kryetari i partisë dhe mandatari, Hristijan Mickoski. Listën me emrat e ministrave të ardhshëm, Mickoski do ta dorëzojë në Kuvend më 18 qershor.

“Këtë fundjavë, të dielën do të mbahet seancë e Komitetit Ekzekutiv dhe Qendror të partisë. Do të prezantohen zgjidhjet kadrovike me biografinë e tyre nga ana ime si mandatar. Pres që Komiteti Ekzekutiv dhe Qendror të deklarohen dhe nëse deklarimi është i suksesshëm dhe pozitiv, të njoftohet opinioni. Lista zyrtare të qeverisë së ardhshme, bashkë me programin e punës së qeverisë së ardhshme, do të dorëzohet të martën më 18 qershor në Kuvendin maqedonas”, tha Mickoski.

Ndërkohë Mickoski hodhi poshtë zërat e LSDM-së se VMRO-ja ka koalicion me BDI-në, pasi që deputetët e saj e votuan ligjin për riorganizimin e Qeverisë. Mickoski, tha se është premtim i VMRO-së që BDI-ja do të jetë në opozitë dhe këtë do ta realizojë.

“Qeveria e ardhshme do të përbëhet nga koalicioni “Maqedonia Jote” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN dhe partia politike ZNAM e udhëhequr nga kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Në Parlamentin maqedonas, në opozitë do të jetë koalicioni i ashtuquajtur Fronti Evropian, koalicioni Ardhmëria Evropiane e udhëhequr nga LSDM dhe partia politike E Majta. Dhe me këtë, do të realizohet edhe premtimi i dytë të cilin e dhamë para zgjedhjeve. Premtimi i parë ishte riorganizimi i përbërjes së qeverisë, premtimi i dytë është BDI në opozitë”, u shpreh ai.

Hristijan Mickoski pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit, ndërkaq zëvendësi i parë i tij do të jetë Izet Mexhiti nga VLEN, i cili do të jetë ministër i Ekologjisë. Pos, kësaj, VLEN do të ketë edhe një zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.

VLEN do të udhëheqë edhe me ministrinë e Shëndetësisë, ku në krye pritet të jetë Arben Taravari. Kuadër shqiptar do të udhëheqë edhe me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, por edhe me Ministrinë e Eurointegrimeve.

Zëvendësministra nga VLEN do të ketë në Mbrojtje, Polici, Kulturë, Arsim, Transport, Bashkësi Etnike dhe Bujqësi. VLEN do të ketë dhe sekretarë shtetërorë në dikasteret që drejtohen nga kuadrot e koalicionit por edhe rreth 400 udhëheqës të institucioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Rifat Jashari: Është derdhur shumë gjak për liri – dhimbje s’ka, veç krenari

Next Story

Rrikthehet hallakama para sporteleve të MPB-së

Latest from Ballina

Go toTop