Ansambli i Këngëve dhe Valleve ”Ibe Palikuqi” në kërkim të talenteve të rinj

Ansambli i Këngëve dhe Valleve ”Ibe Palikuqi” në Shkup tashmë ka shpallur konkurs dhe me këtë ka hapur dyert për talentet e rinj që do të mund të bëhen pjesë e grupit për vallëzim popullor.

Udhëheqësit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ”Ibe Palikuqi” thonë se tash e disa vite ky institucion kulturor u ofron mundësi të rinjve shqiptar që të mund të tregojnë talentin e tyre sa i përket këngëve dhe valleve popullore dhe me këtë të formohen e të bëhen valltarë profesionist të cilët do të ngjiten në skena të ndryshme e të mëdha botërore artistike.

Kryetari i Ansamblit “Ibe Palikuqi”, Vebi Amza bashkë me ekipin e tij dhe me përkrahjen e mësuesit të muzikës Nehat Curri këto ditë kanë nisur audicionin dhe prezantimin para nxënësve të Shkollave Fillore në Shkup me qëllim që të shpalosin para artistëve të ardhshëm mundësit dhe përfitimet nga kultivimi i këngëve dhe valleve popullore.

Nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve ”Ibe Palikuqi” bëjnë të ditur se paraqitja e kandidatëve të rinj bëhet çdo të Shtunë dhe të Diele me fillim nga ora 12:00, në hapësirat e ansamblit të cilat ndodhen në afërsi të stadiumit të Çairit.