Ish-kryeministri i arratisur Nikolla Gruevski dhe ish-ministri i Financave dhe ajo e Kulturës, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave dhe për pastrim parash në hetimin e “Shkupit 2014”, në rastin për 11 monumente, përfshirë këtu edhe “Luftëtari mbi kalë”.
Këto monumente kishin një vlerë tenderi shumë të lartë këtu dhe jashtëzakonisht të ulët në Itali. Pagesat kanë shkuar nga Komuna Qendër drejt Italisë, tek kompanitë e të dyshuarit të tetë, një biznesmen italian pa licencë shkritoreje monumentesh. Më pas, përmes kompanive, i ka larë paratë nga Maqedonia dhe ua ka kthyer kompanive, menaxherët e të cilave dyshohen. I kanë marrë paratë e lara dhe i dorëzuan në një vend. Prokurori Lubomir Lape, i cili drejton hetimet, tha se ka kërkesa për konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, për të parandaluar tjetërsimin e mëtejshëm të saj. Aktualisht dyshohen 15 persona fizikë dhe 7 persona juridikë, mes tyre edhe një shtetas italian. Hetimet dhe bastisjet ende vazhdojnë, njofton prokurori.
“Dje dhe sot deri te gjykatësi i procedurës paraprake janë dorëzuar disa kërkesa për bastisje, sekuestrim të përkohshëm të pasurisë dhe konfiskim të menjëhershëm, ngrirje të llogarive bankare dhe aksioneve në persona të tjerë juridikë, si dhe propozime për caktimin e masave të paraburgimit si dhe masa të tjera për sigurimin e pranisë së të dyshuarve”, tha Lape, përcjell TV21.