Vrasja e dy vëllezërve ne Gjakove | Policia konfirmon raportimin e Insajderit

Mbrëmjen e së dielës, Blerim dhe Haxhi Islamaj dyshohet u vritën me armë zjarri nga Gjergj Gjokaj, i cili po pretendon se aktin e ka kryer në vetëmbrojtje. Vrasja u krye për motive pronësore. Sot policia ka dal me njoftim të ri duke konfirmuar raportimin e Insajderit se në vrasje dyshohet të jetë përfshirë edhe një person tjetër.

Gazeta Insajderi kishte raportuar me 27 qershor se ekziston mundësia që të jetë i përfshirë edhe një person tjetër në rastin tragjik ku mbetën të vrarë vëllezërit Islamaj.

Gazeta Insajderi kishte mësuar nga hetimet fillestare të Prokurorisë në Gjakovë se rasti i vrasjes së dy vëllezërve është duke shkuar në drejtim të hetimit të vrasjes dhe jo vrasjes në vetëmbrojtje.

“Nga shikimi i video-incizimeve del që në këtë rast mund te jete i përfshirë edhe një person tjetër, pos personit që është arrestuar”, i kanë thënë Insajderit burime brenda hetuesisë në Gjakovë.

Policia e Kosovës është vënë në kërkim të dyshuarit tjetër për vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë që ndodhi më 25 qershor të këtij viti.

Policia tashmë ka publikuar fotografinë e tij dhe është duke e kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e tij.

Gjykata Themelore e Gjakovës ka njoftuar të martën se ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit GJ.GJ, i cili dyshohet për vrasjen e dy vëllezërve nga fshati Madanaj dhe mbajtje pa autorizim të armës.

Siç bëhet me dije nga Prokuroria, rasti ka ndodhur me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20 min në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor.