Kosova dhe Tajvani: ndërtimi i lidhjeve për rritjen e bashkëpunimit

June 29, 2023

Nga: Liu Shih-chung

Vizita e fundit në Tajvan e një grupi miqësie shumë partiak të deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishte një dëshmi e vizionit, mundësive dhe përfitimeve reciproke për të dyja vendet.

Gjatë qëndrimit të tyre njëjavor, delegacioni i deputetëve jo vetëm që ndau historinë e guximshme dhe unike të Kosovës me udhëheqësit dhe audiencën tajvaneze, por gjithashtu mësuan shumë për historinë e suksesshme të Tajvanit për t’u bërë demokracia lider në botë – akter kryesor në teknologjinë globale për prodhimin e gjysmëpërçuesve, si dhe një partner strategjik i sigurisë rajonale.

Nëpërmjet diskutimeve të tyre me liderët e Tajvanit, përfaqësuesit parlamentarë, OJQ-të dhe sektorët privatë, të dyja palët arritën një konsensus për bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe veçanërisht në fushën e IT-së.

Kosova ka potencialin për t’u bërë lider evropian në këtë fushë, dhe ne jemi të ngazëllyer që ta eksplorojmë këtë mundësi më tej dhe të jemi pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt një ekonomie më të begatë dhe më të zhvilluar.

Tajvani dhe Kosova mund të jenë gjeografikisht të largëta, por të dy vendet ndajnë shumë vlera dhe aspirata.

Të dy vendet janë të përkushtuara ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

Si shoqëri të vogla dhe dinamike ato përballen me sfida të ngjashme në skenën globale. Duke rritur bashkëpunimin dypalësh në ekonomi, tregti dhe investime, Tajvani dhe Kosova mund të krijojnë një partneritet me përfitime të dyanshme, duke kontribuuar në përhapjen e vlerave të përbashkëta.

Pavarësisht niveleve të ndryshme të zhvillimit, Tajvani dhe Kosova po kërkojnë të diversifikojnë ekonomitë e tyre dhe të zvogëlojnë varësinë e tyre në disa industri kryesore. Tajvani është një lider botëror në prodhimin e teknologjisë së avancuar, ndërsa Kosova ka pika të forta në bujqësi, miniera dhe energji.

Duke ndarë ekspertizën dhe duke bashkëpunuar në projekte të përbashkëta, të dy vendet mund të rrisin konkurrencën dhe të krijohen mundësi të reja për bizneset tona.

Për sa i përket tregtisë, Tajvani ka një ekonomi të fortë të orientuar nga eksporti, me fokus në IT, elektronikë, makineri dhe rafineri. Kosova, në anën tjetër, është një importues neto i mallrave të përpunuara dhe ka një treg të konsumit në rritje. Duke rritur tregtinë ndërmjet dy vendeve, të dyja palët mund të përfitojnë nga tregje të reja dhe akses më të madh në mallra dhe shërbime. Megjithatë, Kosova duhet të arrijë hapin me vendet e tjera për të tërhequr investime potenciale tajvaneze.

Gjatë vizitave të mia të mëparshme në Kosovë, u mahnita nga popullata e re, e talentuar dhe krijuese e vendit. Vendndodhja e saj strategjike në Ballkan si një urë lidhëse me Bashkimin Evropian, Lindjen e Mesme dhe Afrikën përbën një tjetër levë krahasuese për investitorët tajvanezë që kanë kërkuar tregje të reja. Kjo është arsyeja pse unë kam bindur kompanitë e mundshme tajvaneze që të eksplorojnë mundësitë në Kosovë.

Tajvani është i gatshëm të mbështesë Kosovën në këtë rrugëtim duke ofruar përvojën e saj të vlefshme në fushën e IT-së, energjisë dhe fusha të tjera me interes të përbashkët. Ne jemi të përkushtuar që të ndihmojmë zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes shkëmbimeve tregtare, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.

Si një qytetar i Tajvanit, unë e di vetë se si sektori i IT-së mund të transformojë ekonominë e një vendi.

Sot, Tajvani prodhon mbi 60% të gjysmëpërçuesve në botë dhe deri në 90% të gjysmëpërçuesve të avancuar brenda një sistemi të tregut të lirë.

Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e Tajvanit dhe të transformojë potencialin e saj në sektorin e IT-së në një interes kombëtar dhe promovues të zhvillimit ekonomik dhe transformimit social.

Dritarja e mundësive po hapet tani. Ndërsa gjithnjë e më shumë vende në Evropë, Ballkan dhe Baltik po shikojnë drejt Tajvanit për të ndërtuar një partneritet më të fortë ekonomik.

Por, duhen dy veta për të kërcyer tango.

Tajvani, për shembull, po përballet me presion në rritje nga Kina për të minuar sovranitetin dhe institucionet e saj demokratike dhe për ta izoluar atë nga organizatat ndërkombëtare.

Ndërkohë, Serbia njëjtë po sfidon sovranitetin, funksionimin demokratik dhe pjesëmarrjen ndërkombëtare të Kosovës.

Ne e dimë luftën dhe vuajtjet e njëri-tjetrit më mirë se kushdo.

U deshën gati dy dekada që Tajvani të ndërtojë “fuqinë e butë”, për të forcuar marrëdhëniet thelbësore, por jo domosdoshmërisht zyrtare me shumicën e vendeve në botë.

Demokracia, siguria dhe ekonomia janë tri shtyllat që lidhin Tajvanin me botën.

Kjo është ajo që e bën Tajvanin një pasuri strategjike dhe të vlefshme për shoqërinë ndërkombëtare.

Më shumë vende në botë nuk kanë turp të shprehin hapur mbështetjen e tyre për Tajvanin tani. Kjo është rruga që Kosova mund të ndjekë. Dhe Tajvani do të jetë më se i lumtur të bashkohet me Kosovën.

Tajvani dhe Kosova nuk do të luftojnë të vetme. Si Tajvani, edhe Kosova janë partnerë të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në. Të dy vendet kemi marrë mbështetje diplomatike dhe ushtarake nga Uashingtoni. Kjo na ka ndihmuar që të forcojmë pozitën në komunitetin ndërkombëtar dhe për të promovuar stabilitetin dhe prosperitetin tanë afatgjatë.

Kërcënimet e fundit ushtarake të paraqitura nga Kina ndaj Tajvanit kanë qenë kundër produktive. Gjithnjë e më shumë vende e kanë paralajmëruar publikisht Pekinin që të mos ndryshojë në mënyrë të njëanshme status quo-në e Ngushticës së Tajvanit, veçanërisht me përdorimin e forcës.

Gjithnjë e më shumë liderë botërorë kanë theksuar hapur rolin strategjik që luan Tajvani.

Tajvani ka shkuar përtej të menduarit tradicional të politikës së Jashtme, duke krijuar një rrugë të re për të fituar besimin dhe mbështetjen nga komuniteti ndërkombëtar.

Po ashtu, edhe Kosova!

Prandaj, duke punuar së bashku për të promovuar vlerat demokratike dhe bashkëpunimin ekonomik, dhe duke mbështetur njëri-tjetrin në forumet ndërkombëtare, të dy vendet mund të forcojnë pozitat e tyre dhe të kontribuojnë për një botë më të qëndrueshme dhe demokratike.

Liu Shih-chung është Përfaqësues i Tajvanit për Hungari, Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

West Ham pranon ofertën e Arsenalit për Rice

Next Story

Adminstrata amerikane ka shqetësimet e njëjta me Kongresin për Veriun e Kosovës

Latest from Ballina

Go toTop