BE paralajmëroi shpalljen e masave ndaj Kosovës, reagon Kusari: Hera e parë në histori, arsyet s’po mund t’i artikulojnë

Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, tha se masat e paralajmëruara nga BE-ja ndaj Kosovës do të ndodhin për herë të parë në historinë e Unionit.

Ajo tha se këto masa po vendosen ndaj Kosovës pse kjo tentoi të vendoste sundimin e ligjit dhe pse respektoi rezultatin e zgjedhjeve.

“Do të jetë hera e parë në historinë e BE-së dhe ndoshta e fundit që Komisioni Europian vendos masa ndaj demokracisë për arsye që nuk mund t’i artikulojnë. Ose, mund të jetë pse: Kosova u përpoq të zgjeronte sundimin e ligjit në territorin e tij; Kosova mbajti zgjedhjet dhe respektoi rezultatet”, ka shkruar ajo në Twitter.

Bashkimi Europian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të njoftojë për masat ndëshkuese të përgatitura ndaj Kosovës për shkak të “mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit”.

Kështu ka thënë drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Europian, Jan Koopman.

Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Europian.

Koopman tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës. Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.

Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës./Express/