Inteligjenca artificiale mund të lehtësojë sulmet ndaj gazetarëve

June 28, 2023

Që prej prezantimit vjeshtën e shkuar të ChatGPT, programit të inteligjencës artificiale në gjendje të prodhojë tekst sipas interesit të përdoruesit, janë shpalosur një sërë mendimesh dhe raportimesh mediatike mbi faktet, detajet, të mirat dhe të keqijat që mund të kenë sistemet e inteligjencës artificiale, duke nxitur frikë për një të ardhme të pasigurt ku robotët mund të marrin kontrollin e gjithçkaje.

Ndërsa pjesa më e madhe e aludimeve është thjesht dhe vetëm reklamë, një studim i fundit ka nxjerrë në pah rreziqet e menjëhershme që mund të kenë aplikacione si ChatGPT.

Disa prej tyre paraqesin sfida të veçanta për gazetarët dhe industrinë e lajmeve.

Raporti i publikuar të mërkurën nga Qendra Stern për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Nju Jorkut, identifikon tetë rreziqe që lidhen me inteligjencën artificiale gjeneruese AI (të aftë të prodhojë tekst, imazhe etj), duke përfshirë dezinformimin, sulmet kibernetike, shkeljet e privatësisë dhe dëmtimin e rrjeteve mediatike.

Debati mbi inteligjencën artificale “është një ndërthurje mes shqetësimeve mbi rreziqet ekzistenciale kundrejt dëmeve të menjëhershme që mund të sjellë inteligjenca artificiale gjeneruese,” i tha Zërit të Amerikës bashkëautori i raportit, Paul Barrett.

Nuk duhet të mbetemi peng i pyetjes: “O Zot, a do të çojë kjo teknologji në robotë vrasës që do ta shkatërrojnë njerëzimin?”

Sistemet që po prezantohen dhe përdoren tani nuk do të çojnë drejt kësaj të ardhmeje të frikshme, shpjegoi zoti Barrett, i cili është zëvendësdrejtor i Qendrës Stern.

Raporti, bashkëutor i të cilit është edhe Justin Hendrix, themelues dhe redaktor i mediave jofitimprurëse Tech Policy Press, sugjeron se ligjvënësit, rregullatorët dhe vetë industria e inteligjencës artificiale duhet t’i japin përparësi trajtimit të rreziqeve të mundshme.

Kërcënimet mbi sigurinë

Një prej rreziqeve më shqetësuese që mund të paraqesë inteligjenca articiale, në nivel njerëzor, është kërcënimi i sigurisë së gazetarëve dhe aktivistëve.

Fushatat denigruese dhe publikimi i paautorizuar në internet i të dhënave personale janë mes kërcënimeve me të cilat përballen gazetarët gjatë punës së tyre.

Sipas zotit Barret, përmes inteligjencës artificale gjeneruese do të jetë më i lehtë publikimi i të dhënave personale të gazetarëve si dhe sulmi ndaj tyre në internet.

“Nëse do të ndërmerret një fushatë e tillë, do të nevojiten më pak përpjekje nësë përdoren sistemet e inteligjences artificiale”, tha zoti Barret. “Është me e lehtë të sulmohen gazetarët”, shtoi ai.

Përhapja e propagandës do të jetë më e lehtë

Sipas raportit, dezinformimi është një tjetër rrezik kryesor sepse inteligjenca artificiale e bën më të lehtë përhapjen e propagandës.

Raporti vë në dukje se nëse Kremlini do të kishte qasje tek inteligjenca artificiale gjeneruese në fushatën e e dezinformimit rreth zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës në Shtetet e Bashkuara, Moska mund të kishte nisur një fushatë ndikimi më të dëmshme dhe më pak të kushtueshme.

Inteligjenca artificiale gjeneruese “do të jetë motor efikasiteti, por gjithashtu do ta bëjë shumë më efikas prodhimin e dezinformatave,” tha zoti Barrett.

Kjo mund të ketë ndikime mbi lirinë e shtypit, pasi studimet tregojnë se ekspozimi ndaj dezinformatave është i lidhur me rënien e besimit ndaj medias.

Sipas raportit, inteligjenca artificiale mund të përkeqësojë gjithashtu situatën financiare të redaksive të lajmeve.

Në raport, autorët i rekomandojne qeverisë që të forcojnë autoritetet që mbikqyrin kompanitë e inteligjencës artificiale dhe të kërkojnë më shumë transparencë prej tyre.

“Kongresi, instituticonet rregullatore, publiku dhe industria përgjegjëse duhet të tregojnë më shumë vëmendje ndaj këtyre rreziqeve të mundshme”, tha zoti Barrett.

“Nëse industria e inteligjencës artificiale nuk lëviz sa duhet në këtë drejtim, atëherë Kongresi duhet të gjejë një mënyrë që t’a detyrojë të tregojë vëmendje”.


Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Kovaçevski në Gjermani: Alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut është BE-ja

Next Story

Madonna shtyn turneun, këngëtarja shtohet në kujdesin intensiv për shkak të problemeve me shëndetin

Latest from Ballina

Go toTop